关于知识产权 知识产权培训 树立尊重知识产权的风尚 知识产权外联 部门知识产权 知识产权和热点议题 特定领域知识产权 专利和技术信息 商标信息 工业品外观设计信息 地理标志信息 植物品种信息(UPOV) 知识产权法律、条约和判决 知识产权资源 知识产权报告 专利保护 商标保护 工业品外观设计保护 地理标志保护 植物品种保护(UPOV) 知识产权争议解决 知识产权局业务解决方案 知识产权服务缴费 谈判与决策 发展合作 创新支持 公私伙伴关系 人工智能工具和服务 组织简介 与产权组织合作 问责制 专利 商标 工业品外观设计 地理标志 版权 商业秘密 WIPO学院 讲习班和研讨会 知识产权执法 WIPO ALERT 宣传 世界知识产权日 WIPO杂志 案例研究和成功故事 知识产权新闻 产权组织奖 企业 高校 土著人民 司法机构 遗传资源、传统知识和传统文化表现形式 经济学 性别平等 全球卫生 气候变化 竞争政策 可持续发展目标 前沿技术 移动应用 体育 旅游 PATENTSCOPE 专利分析 国际专利分类 ARDI - 研究促进创新 ASPI - 专业化专利信息 全球品牌数据库 马德里监视器 Article 6ter Express数据库 尼斯分类 维也纳分类 全球外观设计数据库 国际外观设计公报 Hague Express数据库 洛迦诺分类 Lisbon Express数据库 全球品牌数据库地理标志信息 PLUTO植物品种数据库 GENIE数据库 产权组织管理的条约 WIPO Lex - 知识产权法律、条约和判决 产权组织标准 知识产权统计 WIPO Pearl(术语) 产权组织出版物 国家知识产权概况 产权组织知识中心 产权组织技术趋势 全球创新指数 世界知识产权报告 PCT - 国际专利体系 ePCT 布达佩斯 - 国际微生物保藏体系 马德里 - 国际商标体系 eMadrid 第六条之三(徽章、旗帜、国徽) 海牙 - 国际外观设计体系 eHague 里斯本 - 国际地理标志体系 eLisbon UPOV PRISMA UPOV e-PVP Administration UPOV e-PVP DUS Exchange 调解 仲裁 专家裁决 域名争议 检索和审查集中式接入(CASE) 数字查询服务(DAS) WIPO Pay 产权组织往来账户 产权组织各大会 常设委员会 会议日历 WIPO Webcast 产权组织正式文件 发展议程 技术援助 知识产权培训机构 COVID-19支持 国家知识产权战略 政策和立法咨询 合作枢纽 技术与创新支持中心(TISC) 技术转移 发明人援助计划(IAP) WIPO GREEN 产权组织的PAT-INFORMED 无障碍图书联合会 产权组织服务创作者 WIPO Translate 语音转文字 分类助手 成员国 观察员 总干事 部门活动 驻外办事处 职位空缺 采购 成果和预算 财务报告 监督
Arabic English Spanish French Russian Chinese
法律 条约 判决书 按司法管辖区搜索

阿尔巴尼亚

AL080-j

返回

Vendimi nr. 80-2020-3156, datë 01.12.2020 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë

SHOQËRIA “A” sh.p.k. KUNDËR DREJTORIA E PËRGJITHSHME E PRONËSISË INDUSTRIALE, PERSON i TRETË SHOQËRIA "K. e P. GJ. K.” Sh.a, VENDIMI NR. 3156, datë 01.12.2020, SHPALLJEN E PAVLEFSHMËRISË RELATIVE TË AKTEVE ADMINISTRATIVE TË DHOMËS PËR SHQYRTIMIN E KUNDËRSHTIMEVE DHE BORDIT TË APELIT PRANË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE. REFUZIMI I REGJISTRIMIT SI MARKË TREGTARE.

Objekti i padisë: 1. Shpalljen e pavlefshmërisë relative të akteve administrative, vendimit Nr. 33/ Prot., datë 24.05.2019 të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve dhe vendimit nr. 33/16 Prot., datë 17.12.2019 të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për shkak se janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe analizim të gabuar të rrethanave të faktit.
2. Ndryshimin e këtyre vendimeve duke vendosur pranimin e kundërshtimit të paditësit ndaj aplikimit për regjistrimin e markës tregëtare kombëtare me numër kërkese AL/T/2017/33, datë 13.01.2017, si dhe refuzimin e regjistrimit të kësaj marke për të gjitha mallrat që është kërkuar mbrojtja.

Gjyqtari: {…}

Fjalët kyç: Pavlefshmëri relative e akteve administrative, pronësi industriale, markë tregtare, regjistrim/refuzim i markës tregtare kombëtare, mbrojtje e markës tregtare, shoqëri tregtare, mallra/produkte, klasa sipas klasifikimit të Nicës, pije alkoolike, ngjashmëri mallrash/markash, konfuzion tek konsumatori, bashkëlidhje midis markave.

Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Neni 16 i ligjit nr. 49/2012 (i ndryshuar); Ligji nr. 9947, datë 7.07.2008 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar (nenet 140/1.a; 142/1.a; 143/1, 2.b, c, g; neni 143/5; neni 152, pika 1/a; neni 153/a; neni 193/b i LPI (i ndryshuar).

Faktet kryesore: Paditësi, është një shoqëri tregtare e mirënjohur në Republikën e Shqipërisë dhe në rajon në fushën e prodhimit, tregtimit, shpërndarjes, shitjes dhe ofrimit për shitje të pijeve alkoolike. Marka me numër regjistrimi kombëtar 45, 10313, 8448, 10314, 10315, 10316, 10317, 10318, 10319, 11527, 11528, 1159, 11530, 8148 (fjalë dhe figurë), është e regjistruar kryesisht për mallra të klasës 33 sipas klasifikimit të Nicës, ku më i famshmi është produkti i emërtuar “Gj.K”.
Personi i tretë, Shoqëria “K. e P. Gj.K” sh.a është një shoqëri tregtare e mirënjohur në Republikën e Shqipërisë dhe në rajon në fushën e prodhimit, tregtimit, shpërndarjes, shitjes dhe ofrimit për shitje të pijeve alkoolike që mbajnë marka të ndryshme si: “Gj.K”, “B.”, “D.”, etj. Një ndër produktet më të mirënjohura dhe më të shitura të “K. P” në tregun vendas e të huaj, janë pijet alkoolike të llojit brandy nën markën " Gj.K”.

Personi i tretë ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, kërkesën me numër AL/T/2017/33, për regjistrimin e markës {…} (fjalë e figurë), kërkesë e cila është depozituar pranë DPPI në datën 13.01.2017, në kuptim të nenit 146 të Ligjit Nr. 9947 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar. Aplikanti ka kërkuar mbrojtjen e markës për mallrat e klasës 33 “Pije alkoolike” dhe klasës 21 “Shishe pijesh”, sipas klasifikimit të Nicës. Kërkesa për regjistrimin e kësaj marke është publikuar për kundërshtim në Buletinin e Pronësisë Industriale (Marka dhe Disenjo Industriale) me nr. 9/2017, datë 02.06.2017.

Paditësi i ka paraqitur palës së paditur, kërkesën për kundërshtimin e regjistrimit si markë tregtare të aplikimit me nr. AL/T/2017/33, kërkesë e cila mban nr. 691 Prot., datë 29.12.2017, me argumentin e ngjashmërisë mes këtyre markave dhe mallrave.

Dhoma për Shqyrtimin e Kundërshtimeve, në bazë të pikës 2 të nenit 143, nenit 152 dhe nenit 153 të Ligjit Nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, si dhe nenit 30 të VKM Nr. 315, datë 31/05/2018 “Për Miratimin e Rregullores për Markat”, me vendimin numër 33 Prot, datë 24.05.2019, ka vendosur rrëzimin e kundërshtimit të regjistrimit të markës me numër aplikimi AL/T/2017/33, me aplikant shoqërinë “K. e P. Gj.K” sh.a dhe vijimin e procedurave të regjistrimit të saj.

Vendimi i Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve është apeluar nga paditësi në Bordin e Apelit dhe ky i fundit, në mbështetje të pikës 2 të nenit 143, neneve 152 dhe 153 të ligjit nr. 9947, dt. 07.07.2008 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, me vendimin nr. 33/16, datë 17.12.2019 ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës për apelimin e aktit nr. 33/12 Prot, datë 24.5.2019 të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve”.

Pala paditëse e ka bërë çështjen objekt konflikti gjyqësor duke kundërshtuar vendimet nr. 33 Prot, datë 24.05.2019 të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve dhe vendimit nr. 33/16 Prot, datë 17.12.2019 të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.

Paditësi pretendon se: Aplikimi për regjistrimin e markës tregtare nr. AL/T/2017/33 është shumë i ngjashëm me familjen e markave tregtare të mirënjohura “Gj.K” të paditësit dhe kërkon mbrojtje për mallra të njëjtë e të ngjashëm.

Mallrat e kundërshtuara në klasën 33, pije alkoolike, janë identike, të të njëjtës natyrë me mallrat e paditësit dhe konsumohen në rrethana të ngjashme. Përsa i përket shisheve në klasën 21 të mallrave të kundërshtuara, ato kanë destinim të njëjtë dhe përdoren për pijet e të gjitha llojeve. Marka e re e kontestuar ka përdorur për të kompozuar paraqitjen grafike të markës së saj, pikërisht refrenin e elementëve të markave figurative të vjetra që janë identifikuese të origjinës së produktit, nga përdorimi i gjatë dhe fama që kanë marrë.

Marka me numër AL/T/2017/33 është aplikuar në keqbesim dhe personi i tretë nuk mundet të përdorë emrin Gj.K si emër tregtar. Prania e keqbesimit rrëzon çdo kërkesë për t’a regjistruar dhe mbrojtur një markë.

Rezulton se vetëm me fjalën {…}, pa shenjën “Gj.K” dhe emblemën, aplikimi nr. AL/T/2017/33, nuk mundet të qëndrojë praktikisht si markë dhe ligjërisht nuk mundet të regjistrohet. Nuk është elementi literalo-figurativ “Rose”, por janë shenjat “Gj.K”” i stilizuar dhe emblema, bashkë me ngjyrat kuq e zi, që ndihmojnë publikun dhe kanalet tregtare për të identifikuar produktin e markës AL/T/2017/33, datë 13 janar 2017.

Rezulton e provuar se thelbi i mosmarrëveshjes dhe i kundërshtimit nga “A” sh.p.k., për regjistrimin e markës AL/T/2017/33 dhe emblemës, “që nga 1933”, është fakti se shenjat e aplikimit të personit të tretë, datë 13 janar 2017, imitojnë shenjat “Gj.K” si dhe emblema të paditësit dhe ndërhyjnë në të drejtat e mbrojtura prej markave të regjistruara prej tij, që nga 11 qershori 1993, ora 12.40.

Gjatë hetimit gjyqësor u vërtetua fakti po aq i rëndësishëm për përfundimet e këtij gjykimi, se asnjë nga palët: Paditësi “A” sh.p.k. dhe personi i tretë “K. e P. Gj. K”sh.a, nuk disponojnë dhe nuk pretendojnë të drejta ekskluzive mbi elementin literalo-figurativ. Markat e familjes shqiptare të paditësit janë marka seri dhe kanë të përbashkëta: emrin Gj. K; pseudonimin {…} me shkrim të stilizuar, emblemën e Gj.K; ngjyrat kuqezi, e artë dhe e bardhë; medaljet, dhe janë të regjistruara për mallra në klasën 33. Paditësi i provoi me dokumenta shkresore gjykatës se personi i tretë, që është aplikanti për regjistrimin e markës është themeluar si shoqëri tregtare anonime vetëm në 2 gusht 1995 dhe është regjistruar si person juridik me emrin “K. e P. Gj. K” sh.a., vetëm në 16 gusht 1995.

Të dy vendimet janë marrë nga pala e paditur DPPI: I. Në zbatim të gabuar të ligjit “Për Pronësinë Industriale”, (i ndryshuar); II. Në vlerësim të gabuar të rrethanave të faktit si dhe kritereve të përcaktuara nga ligji “Për Pronësinë Industriale”, (i ndryshuar) në nenet përkatëse, si dhe nga praktika shqiptare dhe ajo europiane; III. Në zbatim të gabuar të neneve 48, 82 dhe 139 të K.Pr.A. IV. Në aplikim të një gjykimi analitik hipotetiko-virtual, imagjinar, për krahasimin e ngjashmërisë mes markave të ballafaquara dhe mallrave të cilat ato mbulojnë; V. Në kundërshtim dhe në shkelje flagrante të parimeve dhe standardeve të përgjithshme të krahasimit, të konsoliduara nga praktika e fushës së pronësisë industriale në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian (EUIPO).

Pala e paditur pretendon se: Dhoma për Shqyrtimin e Kundërshtimeve, mbi bazën e analizës së tre çështjeve kryesore: a) ngjashmërisë mes markave; b) ngjashmërisë mes mallrave për të cilat mbrohen markat në konflikt; c) ekzistencës së mundësisë që të shkaktohet konfuzion tek konsumatori ose bashkëlidhje mes markave për shkak të ngjashmërive të mësipërme, bazuar në pikën 2 të nenit 143, nenit 152 dhe nenit 153 të Ligjit Nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, si dhe nenit 30 të VKM Nr. 315, datë 31/05/2018 “Për Miratimin e Rregullores për Markat”, me vendimin nr. 33, datë 24.05.2019 ka vendosur rrëzimin e kundërshtimit të regjistrimit të markës me numër aplikimi AL/T/2017/33, me aplikant shoqërinë “K. e P. Gj. K”sh.a dhe vijimin e procedurave të regjistrimit të saj.

Personi i tretë pretendon se: Elementi i kontestuar nga paditësi është elementi “K. e P. Gj. K”, i cili është njëri prej elementëve përbërës të markës dhe që përfaqëson njëkohësisht markën dhe emrin e regjistruar të biznesit të personit të tretë. Krahas detyrimit ligjor të përcaktuar nga ligji për ushqimin dhe ligji për mbrojtjen e konsumatorit, për të vendosur emrin e prodhuesit/tregtarit në etiketën e produkteve të tij, konkludojmë se ky element mundëson edhe më shumë shmangien e konfuzionit në radhët e konsumatorëve duke dalluar qartësisht origjinën tregtare të mallrave.

Objekti i kundërshtimit dhe kërkesëpadisë nuk mund të jetë marka “Gj.K” e personit të tretë. Në rast se paditësi apo ndonjë person i tretë ka ndonjë pretendim mbi vlefshmërinë dhe regjistrimin e markave “Gj. K.” të personit të tretë, atëherë ai duhet të iniciojë procedura të veçanta për shfuqizimin e këtyre markave. Bazuar në ligjin nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, Gjykata nuk mund të gjykojë vlefshmërinë e markave të tjera të regjistruara të personit të tretë,të ndryshme nga marka objekt i gjykimit/akti administrativ i kontestuar dhe të dalë jashtë këtij objekti të gjykimit administrativ.

Vendimi: Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes në shkallën e parë të gjykimit, u vendos që kërkesëpadia të rrëzohet si e pabazuar në ligj dhe në prova1.

Arsyetimi i gjykatës: Në analizë të pretendimeve të palës paditëse, gjykata evidenton se lidhur me paligjshmërinë e akteve administrative objekt gjykimi, pala paditëse e ka orientuar shqyrtimin gjyqësor në analizën e ekzistencës ose jo të shkaqeve të pavlefshmërisë relative në lidhje me pabazueshmërinë në ligj dhe prova të akteve administrative të kundërshtuara, referuar nenit 109, pika "d” të K.Pr.A. Gjykata i referohet analizës së verifikimit të ligjshmërisë së aktit administrativ objekt gjykimi, në konsideratë të nenit 37, pika 1 të ligjit nr. 49/2012. Gjatë analizimit të kësaj çështje, gjykata i referohet ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar, e konkretisht nenit 142, “Refuzimi ose shfuqizimi për shkaqe absolute dhe nenit 143, “Refuzimi ose shfuqizimi për shkaqe relative”.

Nga provat e shqyrtuara në gjykim rezultoi e provuar se personi i tretë ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, kërkesën për regjistrimin e markës (fjalë e figurë), kërkesë e cila është depozituar pranë DPPI në datën 13.01.2017. Kundër kësaj marke është depozituar më datë 10.08.2017, kërkesa për kundërshtimin e regjistrimit të saj nga paditësi shoqëria “A” sh.p.k.

Referuar vendimmarrjes së palës së paditur, rezulton se Dhoma për Shqyrtimin e Kundërshtimeve e ka përqëndruar diskutimin në tre çështje kryesore:

a) Ngjashmëria mes markave, duke marrë në konsideratë tërësinë e elementëve përbërës të tyre që luajnë rolin kryesor në krijimin e karakterit dallues të markave dhe përshtypjen e përgjithshme që shkaktojnë ato tek konsumatori.
- Nga pikëpamja vizuale, markat nuk janë të ngjashme për arsye se markat kundërshtuese përbëhen nga sfonde dhe emërtime të ndryshme. Elementi dominues në pamjen e markës së kundërshtuar është elementi verbal, poshtë të cilit është shkruar me shkrim të vogël "K. e P. Gj. K Durrës, Albania” dhe nga baza e të dhënave që DPPI disponon, rezulton që nga ana e aplikantit të markës së kundërshtuar, të jenë regjistruar tre marka tregtare me emërtimin “Gj.K”.
- Nga pikëpamja fonetike, markat janë të ndryshme pasi markat kundërshtuese, përkatësisht me numra regjistrimi kombëtar 45, 10313, 8448, 10314, 10315, 10316, 10317, 10318, 10319, 11527, 11528, 1159, 11530, nuk kanë asnjë ngjashmëri me shenjën e kundërshtuar.
- Në aspektin konceptual, pasi janë analizuar elementët fjalë dhe figurë të markave, markat kundërshtuese me numra regjistrimi kombëtar 45, 10313, 8448, 10314, 10315, 10316, 10317, 10318, 10319, 11527, 11528, 1159, 11530, krahasuar me markën në proces kundërshtimi, nuk mund të keqorientojnë konsumatorin, pasi janë shumë të ndryshme si në aspektin vizual dhe po ashtu dhe në aspektin fonetik.

b) Ngjashmëria mes mallrave për të cilat mbrohen markat në konflikt. Mallrat për të cilat janë aplikuar/regjistruar markat në konflikt, janë të njëjta për klasën 33 sipas klasifikimit të Nicës, por po të kemi parasysh analizën e mësipërme të ngjashmërisë, për konsumatorin e të njëjtave produkte, nuk ekziston mundësia e konfuzionit apo bashkëlidhjes së origjinës tregtare të mallrave.

c) Ekzistenca e mundësisë që të shkaktohet konfuzion tek konsumatori ose bashkëlidhje mes markave për shkak të ngjashmërive të mësipërme. Duke u bazuar në analizën e mësipërme, nuk ka ngjashmëri ndërmjet markës së kundërshtuar dhe markave të mëparshme që të sjellë mundësinë e konfuzionit ose të bashkëlidhjes së tyre nga konsumatori.

- Në lidhje me pretendimin e kundërshtuesit (paditësit) se marka e aplikuar me numër AL-T- 2017/33 është aplikuar në keqbesim, Dhoma vlerësoi se ky pretendim nuk është provuar, duke qenë se kundërshtuesi nuk ka paraqitur asnjë provë mbështetëse.

- Në lidhje me pretendimin e të dyja palëve pjesëmarrëse në procedurë kundërshtimi se markat e tyre respektive janë të mirënjohura në tregun vendas, Dhoma ka vlerësuar se këto pretendime nuk janë provuar, duke qenë se si kundërshtuesi, ashtu edhe pala e kundërshtuar nuk kanë paraqitur asnjë provë mbështetëse.

Dhoma dhe Bordi kanë konstatuar se paditësi ka të regjistruara markat kundërshtuese “Gj. K.” dhe personi i tretë ka të regjistruar gjithashtu tre marka “Gj.K.”. Siç provohet nëpërmjet provave të paraqitura në këtë gjykim (certifikatat e regjistrimit të markave “Gj. K.”” në emër të " K. e P. Gj. K”), personi i tretë ka aplikuar dhe regjistruar pranë DPPI-së duke filluar nga viti 2003 markat e mëposhtme: - AL 9722 (Statusi: E regjistruar prej vitit 2003 dhe e pakundërshtuar deri më sot); - AL 10060 (Statusi: E regjistruar prej vitit 2003 dhe e pakundërshtuar deri më sot); - AL 16857 (Statusi: E regjistruar prej vitit 2016 dhe e pakundërshtuar deri më sot). Aplikanti ka deklaruar rregullisht përjashtimin nga mbrojtja të elementëve "0.75ml; Verë, 11% vol; Rose”, ndërsa marka mbrohet në tërësinë e saj duke përfshirë edhe elementët e tjerë figurativë dhe literalë (elementi literal, ngjyrat, stema e aplikantit, mënyra e stilizimit të figurave gjeometrike, sfondi).

Elementët që nuk mund të mbrohen në një kërkesë për markë, janë të përcaktuara në nenin 142 të Ligjit Nr. 9947 datë 07.07.2008 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar. Në kuptim të këtij neni, një shenjë nuk regjistrohet si markë kur përbëhet ekskluzivisht nga elementë që shërbejnë në treg për të treguar llojin, cilësinë, sasinë, qëllimin, vlerën ose karakteristika të tjera të mallrave/shërbimeve. Deklarimi i përjashtimit nga mbrojtja nuk nënkupton që këto elementë do të fshihen nga pamja e markës, por që pronari nuk mund të ketë pronësi ekskluzive mbi to. Gjithashtu, në bazë të nenit 142 (2) të LPI, një shenjë nuk përjashtohet nga regjistrimi si markë, në qoftë se marka objekt shqyrtimi ka fituar karakter dallues në procesin e përdorimit përpara datës së aplikimit.

Analiza krahasuese e ngjashmërisë midis markave në nivel konceptual, vizual dhe fonetik nuk mund të bazohet vetëm mbi një element të veçuar të markës, por në tërësinë e pamjes së përgjithshme të saj. Emri “K. e P. Gj. K” i vendosur mbi markën e regjistruar të personit të tretë, është njëkohësisht emri i regjistruar i shoqërisë dhe emri tregtar i personit të tretë. Si rrjedhojë, ky element jo vetëm nuk ka se si krijon konfuzion në radhët e konsumatorëve, por ndihmon akoma më shumë në evidentimin dhe dallimin e origjinës tregtare të mallrave të personit të tretë në raport me ato të paditësit.

Gjykata thekson se objekti i kundërshtimit dhe i kërkesëpadisë nuk mund të jetë marka “Gj. K” e personit të tretë. Në rast se paditësi ka ndonjë pretendim mbi vlefshmërinë dhe regjistrimin e markave “Gj. K” të personit të tretë, atëherë ai duhet të iniciojë procedura të veçanta për shfuqizimin e këtyre markave.

Referuar përgjigjeve me shkrim të depozituara nga ana e palës së paditur, konfirmohet në mënyrë të qartë se marka është e mbrojtur në tërësinë e saj, ashtu siç është aplikuar. Për më tepër, vetë aplikanti i markës ka deklaruar përjashtimin nga mbrojtja të elementit {…}, por ky deklarim nuk nënkupton se ky element do të fshihet nga pamja e markës. Deklarimi i përjashtimit do të thotë vetëm se pronari nuk mund të ketë të drejta ekskluzive mbi këtë term, por ai do të mbrojë dhe regjistrojë markën në tërësinë e saj. I padituri konfirmon se ekzaminuesi ka kryer një raport hetimi për markën dhe nuk ka rezultuar asnjë markë e ngjashme apo identike me markën e aplikuar. Në vijim, i padituri ka paraqitur emërtimin e markës në regjistrin e tij dhe riprodhimin në përmasa të mëdha e të qarta të markës.

Për sa më sipër, gjykata çmon se vendimmarrja e palës së paditur është marrë duke u bazuar në pretendimet dhe provat e palëve, si dhe në një gjykim analitik të detajuar të ngjashmërisë së markave dhe mallrave të cilat ato mbulojnë, duke u bazuar në parimet dhe standardet e përgjithshme të krahasimit, tashmë të konsoliduara nga praktika e fushës së pronësisë industriale dhe në mbështetje të dispozitave të ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 "Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar.

Përfundimisht, gjykata çmoi se kërkesëpadia për shfuqizimin e vendimit nr. 33 Prot., datë 24.05.2019 të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve dhe vendimit nr. 33/16 Prot., datë 17.12.2019 të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, është e pabazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë duhet rrëzuar.

2


1 Ndaj këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe çështja nuk është shqyrtuar ende.

2 Marka e regjistruar e personit të tretë.