关于知识产权 知识产权培训 树立尊重知识产权的风尚 知识产权外联 部门知识产权 知识产权和热点议题 特定领域知识产权 专利和技术信息 商标信息 工业品外观设计信息 地理标志信息 植物品种信息(UPOV) 知识产权法律、条约和判决 知识产权资源 知识产权报告 专利保护 商标保护 工业品外观设计保护 地理标志保护 植物品种保护(UPOV) 知识产权争议解决 知识产权局业务解决方案 知识产权服务缴费 谈判与决策 发展合作 创新支持 公私伙伴关系 人工智能工具和服务 组织简介 与产权组织合作 问责制 专利 商标 工业品外观设计 地理标志 版权 商业秘密 WIPO学院 讲习班和研讨会 知识产权执法 WIPO ALERT 宣传 世界知识产权日 WIPO杂志 案例研究和成功故事 知识产权新闻 产权组织奖 企业 高校 土著人民 司法机构 遗传资源、传统知识和传统文化表现形式 经济学 性别平等 全球卫生 气候变化 竞争政策 可持续发展目标 前沿技术 移动应用 体育 旅游 PATENTSCOPE 专利分析 国际专利分类 ARDI - 研究促进创新 ASPI - 专业化专利信息 全球品牌数据库 马德里监视器 Article 6ter Express数据库 尼斯分类 维也纳分类 全球外观设计数据库 国际外观设计公报 Hague Express数据库 洛迦诺分类 Lisbon Express数据库 全球品牌数据库地理标志信息 PLUTO植物品种数据库 GENIE数据库 产权组织管理的条约 WIPO Lex - 知识产权法律、条约和判决 产权组织标准 知识产权统计 WIPO Pearl(术语) 产权组织出版物 国家知识产权概况 产权组织知识中心 产权组织技术趋势 全球创新指数 世界知识产权报告 PCT - 国际专利体系 ePCT 布达佩斯 - 国际微生物保藏体系 马德里 - 国际商标体系 eMadrid 第六条之三(徽章、旗帜、国徽) 海牙 - 国际外观设计体系 eHague 里斯本 - 国际地理标志体系 eLisbon UPOV PRISMA UPOV e-PVP Administration UPOV e-PVP DUS Exchange 调解 仲裁 专家裁决 域名争议 检索和审查集中式接入(CASE) 数字查询服务(DAS) WIPO Pay 产权组织往来账户 产权组织各大会 常设委员会 会议日历 WIPO Webcast 产权组织正式文件 发展议程 技术援助 知识产权培训机构 COVID-19支持 国家知识产权战略 政策和立法咨询 合作枢纽 技术与创新支持中心(TISC) 技术转移 发明人援助计划(IAP) WIPO GREEN 产权组织的PAT-INFORMED 无障碍图书联合会 产权组织服务创作者 WIPO Translate 语音转文字 分类助手 成员国 观察员 总干事 部门活动 驻外办事处 职位空缺 采购 成果和预算 财务报告 监督
Arabic English Spanish French Russian Chinese
法律 条约 判决书 按司法管辖区搜索

阿尔巴尼亚

AL057-j

返回

Vendimi nr. 8369, datë 24.10.2016 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë

SHOQËRIA “A.D.” SH.P.K. KUNDËR M.LL., PERSON I TRETË D.P.M.P., VENDIMI NR. 8369, datë 24.10.2016, PËR KONKURRENCË TË PANDERSHME NËPËRMJET PËRDORIMIT TË PAAUTORIZUAR TË MARKËS TREGTARE

Objekti: 1. Konstatimi i konkurrencës së pandershme nëpërmjet përdorimit të paautorizuar të markës tregtare “Zgara korçare” nga pala e paditur. 2. Ndalimin e përdorimit të paautorizuar të markës “Zgara korçare” në qarkullimin tregtar nga pala e paditur. 3. Shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga përdorimi i paautorizuar i markës “ Zgara korçare” në vlerën 100,000 lekë.

Gjyqtare: A.P.

Fjalët kyçe: Markë tregtare, përdorim i paautorizuar, përgjegjësi civile për cënim të të drejtave të pronësisë industriale, dëm jopasuror, ndalimi i përdorimit të paautorizuar të markës tregtare, shpërblimi i dëmit.

Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Nenet 638, 639 e vijues të Kodit Civil; Ligji 9947/2008 “Për pronësinë industriale”.

Faktet kryesore: Paditësi shoqëria “A. D.” sh.p.k. është person juridik që ushtron aktivitet tregtar në fushën e distribucionit të artikujve ushqimore, importit dhe eksportit të tyre. Kjo shoqëri ka regjistruar në pronësi të saj pranë D.P.M.P markën “Zgara korçare” më datë regj. 28.06.2013. Kjo markë tregtare përfshihet në klasën 43, shërbime (restorant) referuar klasifikimit ndërkombëtar të Nicë-s. Marka “Zgara korçare” shoqërohet me pasqyrimin e saj grafik (fjalë e stilizuar) ku mbizotëron mbishkrimi “Zgara korçare” në një sfond ngjyrash e zezë, e bardhë, kafe dhe nuancat e saj. (Fig. 1)

Ndërsa pala e paditur M. Ll. është person fizik që ushtron aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve të zgarës që nga data 04.03.2014, duke ekspozuar në vendin e ushtrimit të aktivitetit tregtar emërtimin “Zgara korçare origjinale” (Fig. 2 - Marrë nga “Google Street View” - Maj 2016)

Paditësi pretendon se pala e paditur përdor në mënyrë të paligjshme dhe të paautorizuar markën tregtare “Zgara korçare” në pronësi të palës paditëse. Emërtimi “Zgara korçare” i ekspozuar nga i padituri në vendin e ushtrimit të aktivitetit tregtar është identike me markën e regjistruar nga shoqëria “A. D.” sh.p.k. pranë D.P.M.P. referuar elementëve krahasues vizual, fonetik, konceptual, etj. Përdorimi i paautorizuar nga pala e paditur i markës “Zgara korçare” përbën cënim të së drejtës së konkurrencës. Pala paditëse kërkon të dëmshpërblehet në vlerën 100,000 lekë për dëmin jopasuror të pësuar si rrjedhojë e cënimit të emrit të mirë tregtar dhe imazhit të krijuar në treg në kushtet e identifikimit me markën e saj.

Pala e paditur pretendon rrëzimin e kërkesëpadisë, duke arsyetuar se nuk gjendet në kushtet e përdorimit të paautorizuar të markës së regjistruar nga pala paditëse. Emërtimi “Zgara korçare origjinale” e përdorur prej tij përbën një emër përgjithësues që simbolizon llojin e produkteve të tregtuara (zgare) dhe elementin gjeografik të origjinës së tyre.

Vendimi: Gjykata urdhëroi ndalimin e përdorimit të paautorizuar të markës tregtare nga pala e paditur. Për sa i takon masës së dëmit, gjykata ka pranuar pjesërisht kërkesëpadinë në vlerën 50,000 lekë, duke rrëzuar kërkimin për diferencën e saj.

Arsyetimi i gjykatës: Neni 638 i Kodit Civil parashikon: “Në varësi të dispozitave që kanë lidhje me mbrojtjen e shenjave dalluese dhe të drejtave të patentës, veprimet e konkurrencës së pandershme kryhen prej cilitdo që: l. përdor emrat ose shenjat dalluese të cilat mund të sjellin ngatërresë me emrat dhe shenjat dalluese të përdorura ligjërisht nga të tjerë, ose imiton produktet e një konkurrenti ose kryen veprime të cilat mund të sjellin ngatërresa me produktet dhe veprimtarinë e një konkurrenti; 2. trajton si të vetat cilësitë e produkteve ose të ndërmarrjes së konkurrentit; 3. përdor vetë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi çdo mjet tjetër që nuk përputhet me parimet e ndershmërisë profesionale dhe mund të dëmtojë veprimtarinë e tjetrit.

Neni 639 i Kodit Civil parashikon: “Vendimi që vërteton veprime të konkurrencës së pandershme ndalon vazhdimin e tyre dhe përcakton masat e nevojshme me qëllim që të zhduken pasojat. Në qoftë se këto veprime janë kryer me faj, personi që i ka kryer detyrohet të shpërblejë dëmin.

Analiza e pretendimeve për përdorimin e paautorizuar të markës “Zgara korçare” nga pala e paditur gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj tregtar orienton arsyetimin, referuar dispozitave të ligjit “Për pronësinë industriale” dhe konventave ndërkombëtare (Konventa e Parisit 1883), në elementët dhe kriteret e mëposhtme krahasuese:

1. Krahasimi i shenjave vizualisht dhe fonetikisht të ngjashme. Referuar këtij kriteri gjykata duhet të tregojë kujdes në analizën e ngjashmërisë vizuale, fonetike dhe konceptuale mes markës së regjistruar dhe asaj që pretendohet se përdoret nga pala e paditur. Ky krahasim duhet të bazohet në përshtypjen e përgjithshme që markat përcjellin, duke marrë në konsideratë komponentët dallues dhe dominant të tyre. Gjetja e ngjashmërive, qoftë dhe në njërin prej elementeve objekt krahasimi, përbën bazë të mjaftueshme për të konsideruar palën e paditur në kushtet e përdorimit të paautorizuar të markës pronësi e palës paditëse.

Gjykata konkludon se në aspektin vizual emërtimi i përdorur nga pala e paditur për identifikimin e shërbimit të ofruar ka ngjashmëri të theksuara në raport me markën tregtare “Zgara korçare” të regjistruar në pronësi të palës paditëse. Në të dy rastet komponenti identifikues është elementi verbal “Zgara korçare”, i stilizuar, i cili është dominues në sfondin e përdorur. Ky element është inkorporuar tërësisht në emërtimin e përdorur nga pala e paditur. Ndryshimi në llojin e shkrimit dhe nuancat e përafërta në ngjyra të përdorura nga pala e paditur, sikurse dhe prapashtesa “origjinale”, nuk zbehin ngjashmërinë e theksuar me markën e regjistruar nga pala paditëse “Zgara korçare”.

Ndërsa në aspektin fonetik emërtimi “Zgara korçare” i përdorur nga pala e paditur është identik me markën e regjistruar nga pala paditëse, duke krijuar konfuzion në dallimin e shërbimeve të ofruara nga secili subjekt.

2. Ngjashmëria referuar konfuzionit që krijohet në treg në raport me shërbimet e ofruara. Mundësia për konfuzion në treg e konsumatorit mes markës së regjistruar konform ligjit dhe asaj që përbën imitim përfshin elementët bashkëlidhës që krijojnë ngjashmëri jo vetëm në raport me shenjat në aspektin vizual, por dhe me mallrat dhe shërbimet që ato identifikojnë. Në këtë rast merret në konsideratë shkalla e vëmendjes së një konsumatori mesatar, i cili identifikimin e shërbimit apo produktit, në varësi dhe të natyrës së tij, ia beson memories vizuale të markës dhe jo përqëndrimit në elementët e veçantë dallues të saj apo një marke imituese. Në këtë rast elementi krahasues ngrihet në rrafshin konceptual, pra atashimi që i bëhet mallit ose shërbimit nga subjekti që përdor në mënyrë të paautorizuar markën tregtare, i cili ka karakter identik ose të ngjashëm me produktet ose shërbimet e mbrojtura nga marka e regjistruar duke krijuar konfuzion në treg të konsumatorët. Në këtë rast preket në mënyrë të drejtpërdrejtë tregu i krijuar nga pronari i markës së regjistruar në lidhje me tregtimin e mallit ose shërbimit që mbrohet nga kjo markë duke sjellë si pasojë dëme me natyre pasurore ose jopasurore.
Në rastin objekt gjykimi shërbimet e identifikuara nga pala e paditur përmes emërtimit “Zgara korçare origjinale” (shërbime restoranti të produkteve të zgarës të identifikuara në elementin gjeografik të zonës së origjinës) janë identike me shërbimet që mbulon marka e regjistruar nga pala paditëse “Zgara korçare”. Duke i bashkëlidhur këtij elementi ngjashmëritë vizuale dhe përputhshmërinë fonetike mes markës së paditësit dhe asaj të përdorur nga pala e paditur evidentohet qartazi konfuzioni i pashmangshëm në treg mes shërbimeve të ofruar nga secili prej ndërgjyqësave.

Përdorimi i paautorizuar nga pala e paditur i markës së regjistruar nga pala paditëse “Zgara korçare” përbën dhe cënim të parimeve ligjore të konkurrencës së ndershme, ku përfshihet çdo veprim që në kundërshtim me praktikat tregtare sjell konfuzion te konsumatori si rezultat i përdorimit të një marke, shenje, etikete, paketimi ose çdo treguesi tjetër të mallrave që karakterizon veprimtarinë e një subjekti të caktuar, të mbrojtur rregullisht sipas ligjit.

Në këto kushte gjykata çmoi se kjo pjesë e kërkimit të padisë duhej pranuar, duke urdhëruar ndalimin e përdorimit të paautorizuar të markës “Zgara korçare” në qarkullimin tregtar në vendin ku ushtron aktivitetin i padituri M. Ll., i cili detyrohet të heqë emërtimin “Zgara korçare”.

Si pasojë e përdorimit të kundërligjshëm të markës nga pala e paditur, paditësi shoqëria “ A. D.” sh.p.k. kërkon t’i shpërblehet dëmi pasuror dhe jopasuror referuar neneve 608, 625 dhe 640 të K.C. të cilët respektivisht sanksionojnë:

“Personi që në mënyrë të paligjshme dhe me faj i shkakton tjetrit dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.” (neni 608);

“Personi që pëson një dëm jopasuror ka të drejtë të shpërblehet kur: a) ka pësuar një dëmtim të shëndetit, të integritetit fizik ose psikik të tij; b) është cenuar nderi, personaliteti ose reputacioni i tij; c) është cenuar e drejta e emrit; ç) është cenuar respektimi i jetës private; d) është cenuar kujtimi i një të vdekuri. Në këtë rast bashkëshorti i personit të vdekur ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë mund të kërkojnë shpërblimin e dëmit jopasuror.” (neni 625);

“Dëmi pasuror që shpërblehet përbëhet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar...(neni 640).

Nga analiza e dispozitave të mësipërme ligjore rezulton se përgjegjësia civile në shkaktimin e dëmit jashtëkontraktor lind në kushtet e vërtetimit në mënyrë kumulative të katër elementeve 1. veprimit të paligjshëm; 2. dëmit pasuror ose jopasuror; 3. fajit në shkaktimin e dëmit; 4. lidhjes shkakësore mes veprimit të paligjshëm dhe dëmit të shkaktuar.

Veprimi i paligjshëm në shkaktimin e dëmit cilësohet një kategori objektive, shfaqje e kundërligjshme e vullnetit të subjektit të së drejtës që sjell si pasojë shkeljen ose cënimin e të drejtave, lirive dhe interesave të të tretëve që mbrohen nga rendi juridik dhe zakonet e mira. Kundërligjshmëria e sjelljes së subjektit shkaktar të dëmit cënon marrëdhëniet juridike, që gëzojnë mbrojtje nga kushtetuta, aktet ndërkombëtare, ligjet dhe aktet nënligjore, të cilat njohin dhe garantojnë të drejtat e personave fizik dhe juridik në raport me njëri-tjetrin dhe pushtetin publik.

Faji është qëndrimi subjektiv i personit shkaktar të dëmit në raport me veprimin e kundërligjshëm dhe pasojat që vijnë prej tij, që nënkupton vullnetin e brendshëm psikik për të kryer veprimin, për të siguruar ardhjen e pasojave ose lejimin e ardhjes së tyre.

Lidhja shkakësore vlerësohet si ekzistenca e lidhjes objektive, të drejtpërdrejtë dhe të pavarur nga vullneti i subjektit shkaktar të dëmit mes veprimit të kundërligjshëm dhe pasojës së ardhur. Lidhja shkakësore vërteton lidhjen mes tre elementeve objektive dhe subjektive të faktit të paligjshëm; konkretisht sjelljes së paligjshme, fajit dhe pasojës së ardhur, pra dëmit të shkaktuar në pasurinë, shëndetin ose personalitetin e subjektit të dëmtuar. Elementi i lidhjes shkakësore mbështetet në parimin condicio sine qua non sipas të cilit nuk do të vërtetohej ardhja e pasojës së dëmshme nëse nuk do të kishte ndodhur shkaku, sjellja e paligjshme dhe faji për shkaktimin e dëmit.

Dëmi mund të këtë karakter pasuror ose jopasuror. Dëmi jopasuror në rastin e subjekteve tregtare prek sferën e reputacionit dhe emrit të mirë tregtar të krijuar prej tyre gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, duke sjellë pasoja në lidhje me marrëdhëniet me të tretët, veçanërisht me klientelën apo me sjelljen e ardhshme në treg dhe pritshmëritë për krijimin e raporteve të reja tregtare.

Nga provat e nënshtruara hetimit gjyqësor arrihet në konkluzionin se pala e paditur përmes përdorimit të kundërligjshëm të markës “Zgara korçare” gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj tregtar ka sjellë si pasojë cënimin e emrit dhe reputacionit të palës paditëse. Ofrimi në treg nga pala e paditur e shërbimit restorant “produkte zgare” duke i atashuar markën e paditësit ka identifikuar shërbimin në fjalë me ato që mbulohen nga marka e regjistruar tregtare “Zgara korçare”, e cila pa dyshim individualizon karakteristika dhe cilësi të ndryshme dalluese nga ato të palës së paditur. Duke marrë në konsideratë ngjashmëritë mes markës pronësi e palës paditëse dhe asaj të përdorur në qarkullimin tregtar nga e paditur, sikurse dhe natyrën e njëjtë të shërbimit të ofruar prej tyre është bindshëm i paevitueshëm konfuzioni që krijohet në treg te konsumatori dhe pamundësia për dallimin mes tyre. Duke ofruar në treg një shërbim krejtësisht të ndryshëm në cilësi nga ai që mbulon marka e regjistruar “Zgara korçare”, përmes përdorimit të paautorizuar të kësaj të fundit, pala e paditur ka cenuar emrin e mirë të krijuar në treg nga pala paditëse përmes markës së regjistruar prej tij.

Për sa i takon masës së dëmit gjykata mori në konsideratë kohëzgjatjen e përdorimit të paautorizuar të markës nga pala e paditur, e cila daton më 04.03.2014, emrin e mirë dhe reputacionin që gëzon në treg marka e regjistruar nga pala paditëse, keqbesimin e palës së paditur në përdorimin e markës së palës paditëse, në kushtet e vënies në dijeni prej saj në lidhje me të drejtat e fituara mbi markën “Zgara korçare” dhe vijimësinë e këtij cënimi. Sa më sipër, duke patur për qëllim rivendosjen e të drejtës së shkelur, në mënyrë proporcionale me dëmin e pësuar dhe bazuar në tërësinë e rrethanave të çështjes, gjykata çmoi se pala e paditur duhet të dëmshpërblejë paditësin për dëmin jopasuror të pësuar në masën 50,000 lëkë.

Në përfundim gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë, duke pranuar nga masa e pretenduar e dëmit jopasuror vlerën 50,000 lekë, duke rrëzuar kërkimin për diferencën e saj.

Ky vendim ka marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar nga palët.